ANALIZË: Politikanët burra në RMV “frikësohen” të lënë vendimmarrjen në duar të politikaneve gra

08-March-2022

Analizë nga Fisnik Xhelili

Përfaqësimi i grave në politikë dhe vendimmarrje vazhdon të mbetet minimal dhe lë ende shumë për të dëshiruar, si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal. Edhe pse partitë politike së fundmi dhe shpesh thirren në emër të barazisë gjinore, kur vjen puna për të aplikuar këtë në praktikë, tërhiqen prapa. Fakt për këtë janë zgjedhjet e fundit lokale dhe formimi i Qeverisë së re të vendit. Edhe pse grave pak ju jepen mundësi të tilla, kjo nuk i ndalon ata të studiojnë dhe diplomohen në këto fusha.

Deklarimet e partive politike ndaj luftës për barazi gjinore, shpesh bien në ujë pasi veprimet tregojnë të kundërtën, dhe për këtë argument janë të dhënat e mëposhtme.
Maqedonia e Veriut që nga pavarësia nuk ka pasur asnjëherë të zgjedhurgrua në postet e presidentit ,kryeministrit apo kryetarit të Kuvendit, dy gra kanë qenë ushtruese detyre për dy funksionet e fundit edhe atë më pak se një muaj.
Vendi së fundmi zgjodhi Qeverinë e re, atë të “burrave” dhe përsëri nuk zgjidhi problemin e barazisë gjinore dhe përfaqësimit të grave. Vetëm 20% e ministrave të Qeverisë aktuale janë gra, të gjitha nga LSDM, konkretisht raporti i ministrave burra dhe gra është katër me një. Partitë shqiptare nuk ia kanë besuar postin e ministrit asnjë gruaje. Ndërsa situata është më alarmante te pozita e zëvendësministrave ku raporti është tetë me një, konkretisht vetëm dy gra janë zëvendësministre nga gjashtëmbëdhjetë, ku njëra është shqiptare dhe tjetra maqedone.
Për dallim prej ekzekutivit ku 20% e ministrave dhe 10% e zëvendësministrave janë gra, situata në Kuvend është më e mirë, gjegjësisht rreth 40% e deputetëve janë gra, kjo pasi Kodi Zgjedhor e mundëson këtë.
Kështu thuhet në Kodin Zgjedhor: “Me ndryshimet që janë në fuqi parashikohet që së paku 40 për qind e kandidatëve t’i takojnë gjinisë më pak të përfaqësuar apo një në tre kandidatë të jetë femër dhe në mënyrë plotësuese edhe një vend në çdo dhjetë vende.”
Kuvendi aktual i Maqedonisë së Veriut i konstituuar më 4 gusht të vitit 2020 numëron 47 gra deputete nga gjithsej 120 deputetë. Përfaqësimi gjinor në Kuvend mbrohet edhe me ligj, por kjo nuk vlen për postin e kryetarit të Kuvendit.
Argument tjetër i humbjes së betejës me barazinë gjinore janë edhe zgjedhjet lokale të fundit që u mbajtën tetorin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në zgjedhjet lokale garuan 299 kandidatë prej të cilëve 274 burra dhe 25 gra. Te partitë shqiptare nga gjithsej 59 kandidatura vetëm 2 ishin gra.
Skandaloz ishte numri i grave të cilat fituan mandatin për kryetare komunash, ku vetëm dy arritën të fitojnë këtë luftë “të dyfishtë”.
Listat e këshilltarëve për sa i përket përfaqësimit gjinor janë më të favorshme, kjo pasi sipas ligjeve të paktën 40 për qind e listave për këshilltarë në asambletë komunale duhet të jenë gra. Ku në zgjedhjet e fundit 55% e kandidatëve për këshilltarë ishin burra dhe 45% janë gra.
Sa i përket pozitës së kryetarit të komunës ligjet nuk parashohin kuota gjinore.
Vendi prodhon kuadro profesional të grave, të cilat me përgatitjen profesionale mund të kontribuojnë në politikë dhe vendimmarrje, por partitë ngurojë të veprojnë kështu
Ndonëse shpesh si arsye për mungesën e grave në politikë dhe vendimmarrje disa e madje edhe politikanë e arsyetojnë me mungesë të kuadrit profesional apo guximit, të dhënat nga Enti Shtetëror për Statistikë (ESHS)flasin se vendi ka kuadër profesional të vajzave dhe grave të cilat me përgatitjen e tyre do të kontribuonin në politikë dhe vendimmarrje.
Të dhënat nga ESHS tregojnë se në vitin 2020 nga gjithsej 6.907 studentë që diplomuan 4,110 ishin vajza, që në përqindje i bie 59.5%.
Sipas të dhënave nga ESHS, kaq është numri i vajzave të diplomuara për vitin 2020 në disa nga fakultetet e shkencave sociale dhe juridike te të cilat kryesisht janë drejtimet e shkencave politike:
·        Universiteti “Shën KimentOhridski”, Fakulteti Juridik- 6 vajza nga 17 studentë,
·        Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Fakulteti Jurdikik- 91 vajza nga 132 studentë,
·        Universiteti “Goce Dellçev”, Fakulteti Juridik- 14 vajza nga 24 studentë,
·        Universiteti i Tetovës, Fakulteti Juridik- 65 vajza nga 164 studentë,
·        Universiteti “Nënë Tereza”, Fakulteti i Shkencave Sociale- 4 vajza nga 12 studentë,
·        Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Fakulteti i Shkencave Humane dhe Sociale- 17 vajza nga 27 studentë,
·        Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Fakulteti Juridik- 5 vajza nga 14 studentë,
·        Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Fakulteti i Komunikimit- 3 vajza nga 5 studentë,
·        Universiteti i Evropës Juglindore, Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore- 47 vajza nga 113 studentë,
·        Universiteti i Evropës Juglindore, Fakulteti Juridik- 48 vajza nga 89 studentë,
·        Universiteti “AmericanCollegeSkopje”, Fakulteti i Shkencave Politike dhe Administrimit Publik- 6 vajza nga 8 studentë,
·        Universiteti “AmericanCollegeSkopje”, Fakulteti Juridik- 6 vajza nga 8 studentë,
·        Universiteteti Evropian Shkup, Fakulteti Juridik- 7 vajza nga 17 studentë,
·        Universiteti “MIT Shkup”, Fakulteti Juridik, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, 1 vajzë nga 6 studentë,
·        Universiteti “FON”, Fakulteti Juridik dhe i Shkencave Politike- 17 vajza nga 38 studentë,
·        Universiteti “Instituti Ndërkombëtar Sllav-G.R. Derzhavin”, Fakulteti Juridik- 19 vajza nga 46 studentë,
·        Universiteti Ndërkombëtar Vision, Fakulteti i Shkencave Sociale- 8 vajza nga 11 studentë,
·        Universiteti Ndërkombëtar Vision, Fakulteti Juridik- 20 vajza nga 59 studentë.
Këto të dhëna flasin se vendi nuk përballet me mungesë të kuadrit të kualifikuar të vajzave dhe grave, por se partitë politike ende ngurojnë që t’u besojnë pozicione të larta grave.
Drejtoresha e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, PranveraKasami thekson se ky është një problem i cili kërkon  qasje multidimensionale. Ku vlerëson se vendosja e kuotave atje ku ato nuk janë dhe rritja e tyre aty ku janë, është një domosdoshmëri me qëllim që të arrihet përfaqësim i natyrshëm dhe jo i sforcuar me shanse të barabarta .
 “Ky përfaqësim do të jetë i kënaqshëm vetëm atëherë kur do të shohim përafrim të proporcioneve gjinore në çdo pozicion, ashtu dhe siç është afërsisht dhe struktura gjinore demografike prej 50-50. Por këtu, përpara të gjithëve këtë duhet ta besojnë burrat e pas tyre dhe gratë. E kotë është të presim ndryshimi të vijë vetëm nga aktivizimi proaktiv i grave, sepse vetëm kjo nuk mjafton. Në filozofinë e lidershipit, lideri është ai që ofron të tjerët dhe i zgjat atyre dorën për t'u ngritur. Ndaj, edhe në këtë rast, meqenëse qëllon që lidershipi politik është në duar të burrave, ata duhet të luajnë rolin e liderëve të vërtetë duke inkurajuar mirëfilli gratë për kyçje në lidershipin politik”, sqaron Kasami.
Sociologu the profesori universitar, Ali Pajaziti shprehet se ky fakt flet për një mendësi ende patriarkale mbi të cilën ndërtohet politika ndër ne.
“Është kjo një kulturë e ngulitur thellë në kodin tonë si Ballkan, ku vetëm burri besohet se mund të udhëheqë si duhet, se politika është punë mashkullore, në veçanti postet kyçe, ku merren vendime kritike. Sepse besojnë vetëm në muskujt dhe në forcë e fuqi, e jo në afinitete dhe shkathtësi, sepse palën tjetër e shohin si një kundërshtar që vepron me diskursin e forcës e jo të arsyes, andaj përgatiten mashkullsisht, jo njerëzisht”, thotë Pajaziti.
Nga ana tjetër, Kasami thekson se nuk duhet të ekzistoje arsyetimi i politikanëve burra që nuk ka gra të përgatitura dhe të guximshme për politikë, çdo herë që kapen ngushtë me ndonjë pyetje të tillë.
“Për fat të keq gratë nuk munden t'ia lejojnë një luks të këtillë vetes në këto rrethana, sepse tragjikisht realiteti rezulton pjesërisht i këtillë. Për ndryshimet rrënjësore nevojitet punë sistematike mbi të gjitha për këtë domen nga ana e sektorit joqeveritar. Që ky realitet të kthehet në favor të vet grave, duhet sa më shumë prej tyre të besojnë në ndryshimin dhe të përvishen për ta sjellë atë vet duke u bërë pjesë e tij, pa viktimizim dhe pa justifikime. Fryma patriarkale që në shumë prej vendeve tona akoma mbizotëron ka sjellë që disa çështje janë bërë pjesë normale e mendësisë dhe për ta ndryshuar këtë nuk është i mjaftueshëm zëri i famshëm fejsbukian, por duhet punë e vërtetë. Qasja duhet të jetë e strukturuar dhe e mbështetur mirë mbi themele serioze, kurse çdo pretendim me qasje naive se gjoja punohet në këtë drejtim, e vetëm sa për të bërë zhurmuesin, vetëmse akoma më shumë e vështirëson sjelljen e ndryshimit dhe shkakton çorientim serioz”, shprehet Kasami.
Për të ndryshuar këtë fenomen negativ në shoqëri, ajo sqaron se ILPP në partneritet serioz me organizata ndërkombëtare angazhohet në maksimum për të siguruar mundësi integrimi për gratë në politikë.
“Në kohën aktuale jemi në mes të zhvillimit të një projekti serioz bashkë me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Shkup "Rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë në Maqedoninë e Veriut", pikërisht për ngritjen e  kapaciteteve të grave në politikbërje dhe vendimmarrje, që si koncept zhvillohet në bashkëpunim me të gjitha nëntë komunat e Pollogut. Por jo vetëm kaq, këtu janë dhe mbindërtimi i Komisioneve të vetëqeverisjes lokale për mundësi të barabarta të grave dhe burrave, apo dhe të tjera. Tjetër projekt po aq i rëndësishëm është dhe ai në partneritet me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, ku këtu fokusohemi në shanset e grave të reja në ndërmarrësi apo në STEM”, tregoi Kasami duke theksuar se të gjitha gratë në pozita të larta vendimmarrëse duhet të japin maksimumin për të ngritur në pozita edhe vajza dhe gra të tjera.
 
Si i komentojnë ata të cilët janë pjesë e drejtëpërdrejtë e Legjislativit këto veprime të partive politike?
Hezitimi i grave shqiptare për të marrë hisen që u takon në politik bërje sipas Aleancës për Shqiptarët vjen nga vjen nga devalvimi i pozitës së grave për shkak të partisë shqiptare në pushtet, ku si thonë ata është e konfirmuar me skandalin e përgjimeve.
“Arsyetimet e tilla vijnë nga partitë në pushtet që gratë i shohin si kuotë dhe vegël e jo si aktor i barabartë brenda subjekteve të tyre.  Ne e shohim përfaqësimin e grave në pozicionet partiake e shtetërore si të barabartë me atë të burrave. Angazhohemi për përfaqësimin plotësisht të barabartë të grave në të gjitha institucionet, si gjysma e fuqisë së shoqërisë në të gjitha segmentet”, thanë nga ASh.
Deputetja Dafina Jovanoska-Stojanoska, nga VMRO-DPMNE thotë se politikanët burra sillen në pozicionin e justifikimit me faktin se nuk ka gra të gatshme dhe të guximshme, por sipas saj realiteti është se politikanët burra rrallë e njohin barazinë me kolege gra, ku ka edhe përjashtime.
"Unë i qëndroj mendimit se politika nuk është vetëm punë e burrave, megjithëse në vendin tonë politikanët burra nuk janë aq të përkushtuar ndaj familjes dhe shtëpisë, ndryshe nga gratë politikane që në të njëjtën kohë dinë dhe mund të përballojnë të gjitha aktivitetet dhe të jenë njëlloj të suksesshme. Bëj thirrje për më shumë hapa të grave dhe aktivizim të grave. Një grua politikane nuk duhet vetëm të udhëheqë një Union apo Forum të Gruas në partinë e saj, por një grua politikane është e gatshme për të udhëhequr një parti, madje edhe një vend. Këta hapa nuk duhet të pengohen nga askush dhe askush nuk guxon  t'i bëjë", deklaron Jovanoska-Stojanoska.
Deputetja nga BDI, Fisnike Bekteshi-Shaqiri shprehet se gratë duhet kultivuar si kandidate, udhëheqëse, dhe duhet t'u jepet mbështetje sikurse kandidatëve burra.
“Shumë gra janë të gatshme për tu përballur me sfidat e mëdha në politikë. Që të arrihet një pjesëmarrje kuptimplotë e grave në politikë kërkon ndërtimin e kapaciteteve të grave kandidate, duke rritur hapësirën brenda partive politike dhe duke nxitur vullnetit politik mes udhëheqësive partiake për mbështetjen e grave në çfarëdo lloj pozite udhëheqëse.Aspirata e gruas për të luajtur rol në politikë është e hershme, por ky synim ende mbetet sfidues. Me aplikimin e sistemit të kuotave pjesëmarrja e gruas në politikë është rritur, megjithatë qasja e saj në vendimmarrje mbetet e izoluar. Kuotat duhet të jenë vetëm një mjet për konsolidim të përfaqësimit të fuqishëm të grave. Meshkujt nuk mund t’i përfaqësojnë interesat e grave.Gratë nuk duhet të shihen si kuotë  por si kualitet në shoqëri. Andaj jam për përfaqësim të barabartë të grave në listat zgjedhore në Republikën e Maqedonisë në nivel parlamentar dhe lokal, përmes rritjes së kuotave gjinore 50:50 si dhe në nevojën për më shumë femra kryetare të komunave,poashtu  përfaqësim më i lartë i grave në pozitat udhëheqëse si dhe në pushtetin ekzekutiv dhe organet tjera shtetërore”, tha Bekteshi- Shaqiri.
Nga LSDM shprehen se janë të përkushtuar për përfaqësim të barabartë gjinor, ku theksojnë se ka gra të guximshme dhe të përgatitura.
 "Ne jemi të kënaqur që mund të theksojmë se në partinë tonë burrat janë ata që luftojnë dhe mbështesin të drejtat e grave. Nuk do të ishim dakord me mendimin se gratë  figurojnë si kuota, simbol, pa fuqi vendimmarrëse. Përkundrazi, ne vlerësojmë se gratë dhe mënyra se si ato janë pjesë e politikave vendimmarrëse dhe janë provuar të jenë politikane të jashtëzakonshme që i ndryshojnë gjërat për mirë. Ne si LSDM mbetemi të përkushtuar për promovimin e përfaqësimit të grave në politikë", theksojnë nga LSDM.
Gratë në RMV të drejtën e votës dhe të zgjidhen në zgjedhjet politike e fituan në vitin 1946. Në nivel global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut.Pjesëmarrja e grave në politikë njihet si e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global.

Learn more about us

With just one click you can learn more about us!